Fliku fiton trofeun e pestë me Bajernin, por Dortmundi fitoi respektin!

Një humbje nuk e prish festën edhe kur është shumë e rëndë. Bavarezët kanë “ngrënë dru vendçe” edhe në të kaluarën, kur në fushë ishin Bekenbaueri, Majeri e Myleri, dhe padyshim që kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, por kanë qenë gjithnjë në gjendje të reagonin. Kështu bënë edhe këtë herë duke fituar Superkupën e Gjermanisë, pas humbjes 1-4 në fushën e Hofenhajmit. Ishte trofeu i pestë i trajnerit Hansi Flik, padyshim i merituar, edhe pse në “Alianc Arena” Dortmundi u shfaq ndryshe nga këta dy vjet. Një skuadër me shumë më tepër autoritet dhe lojë, duke u mundur vetëm 2-3, dhe kjo vetëm 8 minuta para fundit.

Trajneri Lysien Favre bëri zëvendësime dhe la në stol “fëmijët e tmerrshëm”, Reina, Belingham e Reinier, ndërsa Sanço nuk ishte fare i grumbulluar. Në fushë ishte përvoja e Humelsit, Mënierit, Dahudit, Rojsit e Brantit si dhe forca e talenti i Halandit. Edhe pse bavarezët shkuan shpejt në 2-0, falë golave të Tolisosë e Tomas Mylerit, Brant u përgjigj në pjesën e parë, dhe Haland barazoi pas pushimit. Favre u detyrua ta zëvendësonte sulmuesin norvegjez, dhe në fushë hynë Reina, Reinier dhe Belingham, por diferencën e bëri Xhoshua Kimih në 82’ me golin vendimtar. Levandovski nuk shënoi, por shërbeu 2 asiste. Dortmundi e përballoi thuajse barabar Bajernin siç e thotë rezultati, por edhe statistika, me gjuajtjet 11-7 për vendasit, pasimet 630-472 po për bavarezët, zotërimin e topit 57%-43%, dyluftimet barabar 50 me 50, dhe kornet po ashtu barabar 5-5.

Bajern-Dortmund 3-2

Bajerni: Nojer, Pavar (Riçards), Zyle, Hernandez, Dejvis, Havi Martinez (Musiala), Kimih, Toliso, Tomas Myler, Levandovski (Zirkze), Koman (Gnabri). Tr. Flik

Dortmundi: Hic, Xhan, Humels (Pishçek), Akanji, Mënier (Shulc), Delanej, Dahud, Paslak, Rojs (Reina), Brant (Belingham), Haland (Reinier). Tr. Favre

Gjyqtare: Bibiana Shtajnhauz

Sfidanti.al