Interi po i afrohet merkatos së janarit me kufij të qartë financiarë. Sipas raportimeve të ‘Tuttosport, drejtuesit zikaltër do të kenë në dispozicion një buxhet që varion nga 20 deri në 25 milionë euro për përforcime gjatë merkatos dimërore.
Megjithatë, për të realizuar një merkato më ambicioze, klubi është i vetëdijshëm se do të duhet të sakrifikojë një emër të rëndësishëm. Kandidati kryesor për t’u larguar është Davide Frattesi, i cili po kërkon më shumë vazhdimësi dhe hapësira në formacion.
Mesfushori i Kombëtares italiane ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha: Juventus kryeson listën e pretendenteve, ndërsa Napoli dhe Roma po monitorojnë gjithashtu situatën. Pavarësisht interesimit, Interi nuk ka ndërmend të bëjë lëshime në vlerësim. Drejtori sportiv, Piero Ausilio, e vlerëson Frattesin në 35 milionë euro dhe është i gatshëm të pranojë vetëm oferta që garantojnë arkëtimin e plotë të shumës, pa formula të ndërlikuara apo pagesa të shtyra në kohë.
Qëndrimi i fortë i Interit lidhet edhe me faktin se një pjesë e të ardhurave nga shitja e mundshme do të duhet të riinvestohen për zëvendësuesin e Frattesit, i cili mund të vijë që në janar, ose më shumë gjasa, të identifikohet për merkaton e verës.

