Yjet e Premier Ligës nuk preken, rrogat e punonjësve ulen me 20 për qind!

Lajmi i fundit nga Anglia ishte që pronarët e klubeve të elitës nuk guxojnë të fusin dorën në xhepin e futbollistëve të tyre, nga frika se ata shkojnë në gjyq dhe fitojnë të drejtën për t’u larguar falas, duke u bazuar në shkelje të kontratës. Nuk dihet sesa mund të realizohet kjo, dhe nëse në kontrata është përcaktuar ndonjë klauzolë se mund të ketë edhe koronavirus, por asgjë nuk i pendon këta “bejlerë” anglezë që të fusin dorën në xhepin e punonjësve të zakonshëm të klubeve të tyre, që fitojnë qindra herë më pak sesa yjet e futbollit.

Tek Totenhemi, p.sh., presidenti Daniel Levi (në foto) jo vetëm që e merr rrogën prej 4 milionë paundësh stërlina në vit (që nuk i hyn në punë për asgjë), por merr edhe një shpërblim prej 3 milionë paundësh stërlina të tjera, si “vështirësi pune”, për faktin se realizoi stadiumin e ri dhe se ekipi luan në Champions çdo vit. Po ky Levi gjeti kohën për të ulur me 20 për qind rrogën e punonjësve të thjeshtë të administratës, dhe kjo ka bërë shumë përshtypje në Angli, aq sa është skandalizuar edhe tabloidi “Deili Meil”, që shumicën e fotove të kopertinës i ka nga familja mbretërore. Konkluzioni është se edhe sistemi gjyqësor britanik qenka ndërtuar në mënyrë të tillë, dhe marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës janë të tilla, që ata që fitojnë shumë të kenë gjithnjë të drejtë, ndërsa ata që fitojnë pak të mos u ndihet zëri i gojës.

Sfidanti.al