Një nga sportistet më të mëdha të Kosovës, Distria Krasniqi, e shpallur edhe xhudistja më e mirë në botë për vitin 2025, nga sot do të ketë një pullë postare me emrin e saj. Posta e Kosovës njoftoi të premten se emisioni i veçantë i pullave kushtuar xhudistes 29-vjeçare e nderon atë si një imazh simbol të Kosovës, por edhe për historinë e suksesit të saj. E lindur më 10 dhjetor 1995, Distria e nisi rrugëtimin sportiv që në moshë të re, duke i sjellë Kosovës suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. Ajo numëron dy medalje olimpike, dy medalje bronzi në kampionatet botërore dhe tri vende të para në kampionatet më kryesore europiane. Që nga shpallja kampione bote për U21 në vitin 2015, ajo ka shkëlqyer në turne të rëndësishme, si “Grand Slam” në Paris dhe “European Open” në Sofje. Në vitin 2021, Distria rrëmbeu medaljen e artë në “World Judo Masters” në Doha, një moment historik për sportin kosovar. Statusi i saj u konfirmua edhe në Kampionatin Botëror të Xhudos “Budapest 2025”, ku mori medaljen e argjendtë.
“Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës nderon një histori suksesi dhe frymëzimi, duke e shndërruar imazhin e Distrias në një simbol që do të udhëtojë përtej kufijve, si ambasadore e vlerave tona kombëtare. Pamjet e pullës dhe informatat për këtë emision janë siguruar në bashkëpunim me Federatën e Xhudos në Kosovë. Emisioni përmban një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë dhe do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë,” thuhet në njoftimin e Filatelisë së Postës së Kosovës.
Në vitin 2021, Distria Krasniqit iu akordua medalja “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë atëkohë, Ilir Meta, së bashku me xhudisten tjetër Nora Gjakova, për arritjet e tyre në Lojërat Olimpike të Tokios.
sfidanti.al