“Feniksi” po ngrihet nga hiri, edhe përmes konflikteve me Pol Pogbanë, e kritikave për David De Gean, Harri Megajerin apo edhe vetë trajnerin Ole Gunar Solskjer. Fitorja 1-0 arritur në minutën e 93-të ndaj Uolvesit mund të quhet me fat, po ashtu mund të cilësohet e ndihmuar nga mungesat e miqve, por gjithsesi është kushedisesata herë që Mançester Junajtid tregon se mund të fitojë në sekondat e fundit. Kjo do të thotë jo më pak se dëshira e pashuar për sukses, dhe pikërisht nga kjo nis rruga drejt një trofeu të madh.
Rekordmenët e titujve në Angli kanë tani vetëm 2 pikë më pak se Liverpuli, që barazoi në fushën e tij me Uest Bromin (1-1). Përballja në “Old Traford” ishte tepër e vështirë përballë një ekipi që di të luajë mirë dhe fort edhe me mungesa dhe Solskjeri vuajti shumë në vijën anësore. Në 95’ efektive, vendasit nuk meritonin fitoren, por 15 minutat e fundit i patën më të mira, me më shumë energji. Goli i Rashfordit ishte gjithsesi me fat, sepse u devijua, ndërsa Solskjer duhet të gjejë mënyrën që ekipi i tij të arrijë fitoret me më pak vuajtje, pra me më shumë siguri.
“Nuk mund të flasim për titull pas 15 javësh kampionat, – thotë Solskjeri, – duhet të kalojnë të paktën 30 javë që të flasim për titullin. Natyrisht, ne kemi besim, lojtarët mendojnë se mund të fitojnë ndaj çdo kundërshtari. Rezultati ishte i tepër i rëndësishëm përsa i përket mentalitetit”.
Sfidanti.al