“Viroza” e stadiumeve të mbyllura infekton sërish Tiranën e futbollit!

Duket sikur të jetë virus i stinës. Futbolli shqiptar nisi sërish të ketë probleme me fushat, ashtu si sezonin e kaluar, dhe vuajtjen më të madhe si thuajse gjithmonë e ka kryeqyteti. Për momentin, dy stadiumet e Tiranës nuk mund të presin ndeshje. “Arena Air Albania” është mbyllur prej ditësh, ndërsa fusha duhet të jetë në gjendjen e duhur për miqësoren e kombëtares ndaj Italisë në 16 nëntor, pra pas një muaji. Në Arenë u luajt së fundmi ndeshja e kombëtares ndaj Islandës në Ligën e Kombeve, që përfundoi 1-1, si dhe derbi i kryeqytetit në 2 tetor fituar 2-0 nga Tirana ndaj Partizanit. Pas impiantit kryesor të kryeqytetit, i erdhi radha edhe “Selman Stërmasit”.

Në të vërtetë, në stadiumin që administrohet nga Tirana, nuk ka punime për fushën, të paktën siç informon klubi, që njoftoi në faqen zyrtare në FB se ndeshja e parashikuar në shtëpi ndaj Erzenit, të shtunën në Abisnet Superligë, do të jetë në “Elbasan Arenë”. Kjo zhvendosje ndodh sepse terreni në “Selman Stërmasi” nuk është i nivelit të duhur, dhe fusha në Elbasan është shumë më e mirë. Partizani, ndërkaq, ka luajtur në Elbasan ndaj Kastriotit, e këtë javë për fat është jashtë fushe, në Durrës.

Sfidanti.al