Në përfundim të ndeshjes së tij të fundit në UFC, kampioni i madh me nënshtetësinë ruse kërkoi vetëm një gjë nga organizatorët, të shpallej luftëtari më i mirë i Botërorit, “kg për kg”, pra duke kombinuar të gjitha kategoritë e peshave. Drejtuesi dhe pronari i UFC-së, Dejni Uajt, ia plotësoi dëshirën Habib Nurmagomedovit pas suksesit ndaj Xhastin Geçjit, duke e nxjerrë pikërisht në vend të parë, e duke zbritur në vend të dytë Xhon Xhonsin. Një homazh për kampionin e madh të peshave të lehta që deklaroi mbylljen e karrierës me bilancin 29 fitore-0 humbje, dhe duke dalë 4 herë kampion i botës.
“Ishte puna e gjithë jetës sime, – shkroi dagestanasi në Instagram, – kurrë nuk e mora lehtë, asgjë, dhe asgjë nuk m’u dha sepse isha ndonjë djalë i mirë. Punë e rëndë, shpresë tek Allahu dhe durim, këta tre element më ndihmojnë që të jem i suksesshëm, dhe padyshim kontrolli dhe këshillat nga Babai im, që investoi tek unë kaq shumë kohë dhe punë!” Gjithsesi, kjo renditje nuk u prit mirë nga amerikani Xhons, pasi 33-vjeçari mendon se është ai më i miri. Xhonsi e ka mbrojtur 15 herë titullin kampion bote në peshën e lehtë të kategorisë së rëndë, ndërsa ka 28 fitore e vetëm 1 humbje në karrierë.
Sfidanti.al