Shumë rrallë një personazh që njihet si “i shëmtuari” mund të ketë rol pozitiv. Njëlloj si në filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku Ndrekë Luca, p.sh. nuk merrte kurrë role pozitivë. Veçse, kur vjen puna tek Xhenaro Gatuzo, “shëmtia” e tij harrohet menjëherë, dhe mbetet në mendje zemra e madhe, por edhe puna po kaq e madhe si trajner.
Lajmi është që Milani tronditi njërën prej skuadrave “senatore” të sezonit në Serinë A, pikërisht Romën ambicioze të trajnerit Di Françesko dhe drejtorit Monçi, madje brenda në “Olimpiko”. Tashmë, janë 5 fitore radhazi në kampionat dhe tani mund të ëndërrohet për një vend në Champions, pa pasur frikë se mund të tallen të tjerët.
Golat e Kutrones dhe Kalabrias në pjesën e dytë bënë që kuqezinjtë të kenë tani 44 pikë, edhe pse mbeten në vend të 7-të përsëri, sepse fitoi edhe Sampdoria. Për më tepër, Milani shënon pak, vetëm 37 gola, më pak se të gjashta skuadrat që janë mbi të në renditje, por ndryshimi duket qartë që është i madh.
Një vend në Champions do të thotë të rikuperohen 7 pikë ndaj Interit që është për momentin në vend të 4-ët, dhe kjo duhet të nisë që në derbi, ndeshje që luhet pas një jave. Gatuzo ka meritën e madhe se ka kthyer besimin dhe sepse po ndërton diçka për të ardhmen. Kutrone e Kalabria, autorët e golave në Romë, janë “vogëlushë” që shpejt do të bëhen burra, dhe atëherë Milani do të jetë më i madh.
Sfidanti.al