Tuhel lavdëron Çelsin, por ia ka frikën Aston Vilës

Detyra është bërë përgjysmë, dhe trajneri gjerman e ka shumë të qartë. Tomas Tuhel nuk ishte as tërësisht i lumtur, dhe as tërësisht i çliruar pas fitores me Leisterin, edhe pse suksesi pati domethënie të madhe për Çelsin. Blutë e Londrës lanë pas dy humbje, atë me Arsenalin në Premier Ligë, dhe pikërisht me Leisterin në finalen e Kupës, duke arritur një fitore të merituar, e duke u ngjitur në vendin e tretë, pra në zonën Champions. “Ishte fantastike, – tha Tuheli, – ishte një paraqitje e jashtëzakonshme, por ende nuk ka përfunduar. Kemi edhe dy ndeshje për të luajtur, në kampionat dhe finalen e Championsit. Tifozët në stadium bënë një diferencë të madhe”.

Tuhel theksoi se Çelsi më shumë u nxitën të luftonin pas humbjes me Arsenalin, sesa pas finales me Leisterin. “Bëmë atë që duhej bërë, – tha ai, – ishim me kurajë, ritëm të lartë, agresivitet. i lumtur që fituam, por duhet ta përsërisim sepse nuk e kemi bërë plotësisht. Fakti është që e kemi fatin tonë në duart tona, por duhet një paraqitje tjetër e madhe, veçse në fushën e Aston Vilës me tifozët kundër nesh në stadium, do të jetë e vështirë”.

Sfidanti.al