Nëse shikon formacionin me të cilin Tirana nisi ndeshjen ndaj Vllaznisë në javën e tretë, dallon se me të vërtetë është ndryshuar gjysmë për gjysmë. Siç e tha trajneri Orges Shehi, “ekipi ka ndryshuar me 50 për qind”. Largimet e lojtarëve si Seferi, Hoxhallari e të tjerë (më herët Muçi) vërtet kanë sjellë para në arkën e presidentit Refik Halili, por kanë krijuar zbrazëtirë në organikë, aq sa tifozët më shumë po mbajnë mend numrat e fanelave sesa emrat e lojtarëve. Një tifoz bardheblu madje më shumë po mburrej për “treshen e Tironës në Ukrainë” sesa për ekipin në Superligë. Për ata që e ndjekin futbollin sot, është e pakonceptueshme sesi një tifoz i viteve 70-të apo 80-të, mund ta thoshte formacionin e ekipit të zemrës përmendësh edhe po ta ngrije nga gjumi në 3 të natës. Edhe më keq e kanë përkrahësit e Kukësit që ka bërë transfusion të plotë me 18-19 largime dhe afrime, ndërsa “dëme” të mëdha kanë edhe tek Laçi, Egnatia e të tjerë. Duket se vetëm Partizani e Vllaznia sikur i kanë ruajtur “kockat” dhe kjo mund t’i bëjë më shumë pretendentë për titullin. Flasim për të marrë një kupë, sesa për nivel loje, vërtet që tifozët ia vlen të mbajnë mend numrat dhe jo emrat e protagonistëve.
Sfidanti.al