Rafael Nadal e Rozher Federer nuk duken kërrkund në skenën më të madhe të tenisit këtë muaj. Dy përfaqësues të Perëndimit kanë abdikuar duke e lënë çështjen e titullit të meshkujve në Australian Open në dorë të dy yjeve nga Europa e Lindjes, si rusi Danil Medvedev dhe serbi Novak Gjokoviç. Pra, kemi të bëjmë me një “Çështje Lindore”, nëse do të përdorim shprehjen e shekullit të 19-të për krizën ballkanike në ish-Perandorinë Otomane.
Jo vetëm kaq, por është vënë në diskutim edhe “rendi i vjetër”, ndonëse Gjokoviçi është pikërisht një përfaqësues tipik i tij. Ai do të përpiqet të mbajë gjallë dominimin e treshes së madhe (Federer-Nadal-Gjokoviç) dhe shanset i ka të mira pasi është në finale, dhe sepse e ka marrë veten bukur mirë nga dëmtimi në muskujt e barkut në raundet e parë të këtij Grand Slemi. Gjithsesi, Medvedev është një rrezik real për të, ndoshta edhe më shumë sesa austriaku Tim, gjermano-rusi Zverev apo se greku Cicipas. Medvedevi mundi fare lehtë Cicipasin menjëherë pasi ky eleminoi Nadalin e madh në çerekfinale. Rusi triumfoi 3-0 me sete (6-4, 6-2, 7-5) në dy orë e 9 minuta dhe ka tani 20 fitore radhazi në të gjithë konkurrimet. Finalja do të luhet pikërisht të dielën, dhe Gjokoviç do të kërkojë titullin e 9-të në Australian Open dhe Grand Slemin e 18-të në karrierë.
Sfidanti.al