Asnjë revolucion, por mbi të gjitha… asnjë ngut. Milani i ri i drejtorit sportiv Igli Tare dhe teknikut Allegri po ecën me hapa të vegjël në merkato, me objektivin aktual për të siguruar mesfushorin Jordan Jashari. Ky është prioriteti i kuqezinjve që po presin “po”-në përfundimtare të Bruges. Nuk ka asnjë afat për ofertën, por propozimi prej 33 milionë eurosh plus pesë milionë bonuse nuk do të ndryshohet.
Pas Jasharit fokusi i Milan do të përqendrohet plotësisht te mbrojtësit e krahut: emri i Doué është ndër të parët. Shpenzimi do të jetë i kufizuar, ndërsa për t’i dhënë teknikut Allegri sulmuesin që do të luajë përkrah Gimenez duhet pritur ende. Ndoshta madje deri në mes të gushtit, kur të ndizet një reaksion zinxhir i diktuar nga lëvizjet e të mëdhenjve të Premier League. Për momentin Milan pret pa e finalizuar goditjen, duke pasur parasysh që buxheti i parashikuar, rreth 25 milionë euro, nuk lejon ëndrra të mëdha. Tare kërkon të përfitojë nga mundësitë: përforcimi nuk do të ketë sigurisht emrin e Dusan Vlahovic, i cili po largohet nga Juventus por nuk konsiderohet i përshtatshëm nga Casa Milan.
Në frontin e largimeve, bisedimet e nisura me Como për shitjen përfundimtare të spanjollit Alvaro Morata rrezikojnë të zgjasin. Galatasaray është gati ta lirojë por vetëm pasi të ketë marrë një sulmues të ri. Ja pse largimi i spanjollit lidhet, dhe shumë, me çështjen Osimhen, e bllokuar aktualisht. Napoli, në fakt, është i gatshëm të heqë dorë nga nigeriani vetëm përballë pagesës së klauzolës. Për këtë arsye De Laurentiis i ka thënë jo ofertës së parë të paraqitur nga turqit: kjo çështje premton ende të tjera të papritura.
sfidanti.al