Strakosha titullar ndaj San Marinos, Reja i ngul një “kunj” Kamberit!

Lojtarët po na “firojnë” një e nga një, por gjithsesi le të sforcohemi edhe për ndeshjen e fundit. Kombëtarja luan nesër në San Marino sfidën e fundit eleminatore të Botërorit për këtë sezon, dhe trajneri Edi Reja ka më pak futbollistë për të përzgjedhur, ndërsa për formacionin është ende “në tym”. Një gjë është e sigurt, që në portë do të jetë Tomas Strakosha dhe jo Etrit Berisha, diçka që duket se bëhet më shumë për t’i dhënë zemër gardianit të Lacios në një moment të vështirë të karrierës. Strakosha nuk ka luajtur për klubin e Serisë A, ndonëse nivelin e ka të lartë, ndërsa Reja mund të kishte bërë mirë t’i kishte besuar portierit Selmani që po shkëlqen në ligën e parë të Turqisë.

Trajneri kuqezi pati një “kunj” edhe për Florian Kamberin, për të cilin u fol fillimisht se e braktisi kombëtaren pasi pati hatërmbetje që nuk luajti ndaj Anglisë. “Kamberit i doli mirë analiza mjekësore, por na tha se kishte dhimbje”, – tha italiani. Sulmuesi ndodhet me ekipin në San Marino dhe po bën fizioterapi ashtu si edhe Odise Roshi që mbetet në dyshim. Nga kombëtarja janë larguar Nedim Bajrami që nuk mori dokumentacionin e FIFA-s, po ashtu Klaus Gjasula i pezulluar si dhe Marash Kumbulla i dëmtuar.

Gjithsesi, priten disa ndryshime në krahasim me Anglinë për shkak edhe të lodhjes, por edhe sepse ndryshon kundërshtari dhe objektivat. Kombëtarja luan për të fituar, ndërsa synimi i Rejës për këto ndeshje ishin 7 pikë, ndërsa mund të marrë maksimumi 6. Reja pritet të luajë me skemën e tij të zakonshme 3-5-2, ndërsa mendohet që Memushaj të jetë që në fillim. Dyzimet më të mëdha italiani i ka në mesfushë, pasi duhet të mendojë edhe për alternativa më të freskëta si Ramadani apo Kallaku. Në mbrojtje pritet treshja Ismajli-Gjimshiti-Veseli, ndërsa në sulm besohet të jetë dyshja titullare Cikalleshi-Manaj, ndonëse kavajasi nuk ka qenë në maksimum.

Sfidanti.al