Lacio humbi, por portieri i saj dhe i Shqipërisë, fitoi. Thoma Strakosha mund të ishte ngjitur fare mirë në podium bashkë me futbollistët e Juventusit për të ngritur në ajër Kupën e Italisë, pasi ai nuk ishte aspak në anën e humbësve. Djaloshi 22-vjeçar, një moshë tepër e re për të qenë portier shumë i mirë, bëri të paktën 4 pritje të mëdha, duke mos lejuar që humbja të kthehej në katastrofë.
Kuptimplotë titulli i gazetës romane, “Il Mesaxhero”: “Juventus-Lacio, Strakosha, ai me më pak përvojë, doli më i miri”. E përditshmja lavdëroi fort numrin 1 dhe kritikoi Lacion: Çfarë mund të thuash kur notën më të lartë në një humbje si kjo, e merr portieri? Vlerësimin më të madh ia bëri Higuain që i shtrëngoi dorën në fund të takimit”.
I lindur në Athinë, i formuar fillimisht si portier në Greqi me ndihmën e babait, Thomai apo Tomasi po ngjit sot shkallët e karrierës. Në rastin e tij duket qartë ndikimi vendimtar i një babai në karrierën e fëmijës së tij, pasi deri në moshën 19 vjeç, Strakosha ishte aty-aty në shanse me Teqjen, portierin tjetër të talentuar të ekipeve kombëtare të moshave. Ndikimi profesional i të atit, Foto Strakoshës, dhe njohjet e tij të shumta bënë që “garën” ta fitonte pikërisht i biri.
Sfidanti.al