Spanja ndërpret futbollin pa afat pas mbi 2 000 vdekjeve nga koronavirusi!

Nuk është kohë futbolli as në shtetin e madh në Iberi. Spanja po lufton pothuaj po aq tragjikisht sa Italia me sëmundjen e shekullit, ndaj edhe s’ka vend për gjë tjetër. Liga Spanjolle vendosi të ndalonte pa cak kampionatin e futbollit, duke e lënë fatin e saj në duart e qeverisë. Vetëm ekzekutivi i drejtuar nga kryeministri Sançez do të ketë fuqinë për të urdhëruar rifillimin e La Ligës. Kjo do të thotë se ndeshjet e njërit prej turneve më të mëdhenj e më të bukur në botë, do të jenë një kujtim gjithnjë e më i largët, sa më shumë të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme.

U bënë kohë që gjigandë të tillë si Reali apo Barcelona luajtën me tifozë në arenat e tyre. Sfida e fundit u luajt në 10 mars, madje pa spektatorë në stadiumin e Eibarit, ku Sociedadi fitoi me shifrat 2-1. Më pas u mor vendimi për ndërprerje dhe u bënë plane për të rifilluar sa më shpejt, e për të përfunduar sezonin herët në stinën e verës. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me sezonin, dhe ka shanse që titulli t’i jepet Barcelonës meqë ajo kryeson renditjen në këtë moment. Gjithsesi, e tërë vëmendja është tek beteja me koronavirusin, që ka marrë deri tani rreth 2 200 jetë, ndërsa njerëzit e prekur nga virusi janë mbi 33 000.

Sfidanti.al