Sot, 3 vite pa njeriun që aq shumë i dha sportit e veçanërisht futbollit shqiptar. Saktësisht në 13 shtator të vitit 2021, Ylli Mihali mbylli sytë përgjithmonë pas një beteje të vështirë me Covid-19. Ishte vetëm 55 vjeç Ylli që ndriçonte në qiellin e Kombëtares prej 27 vitesh e sot vetëm heshtje nga ata që me shumë se kushdo duhet t’i jenë mirënjohës njeriut fjalëpak e të dedikuar ndaj fanellës dhe profesionit. Nuk është prej tre vitesh Ylli që ndihmoi breza të tërë lojtarësh për t’u ringritur në kohë rekord edhe pse vetë nuk ia doli që ta shtynte trupin e tij ta largonte sëmundjen.
Me punën e tij në ekipin kombëtar, por edhe si pjesë e stafit të Tiranës, gjatë tre dekadave të fundit ai ka ndihmuar jo thjesht futbollistët e nivelit të lartë, por është kujdesur për sportistë të të gjitha skuadrave në momentet e vështira të lëndimeve. Ylli i mirë e humbi ndeshjen e tij më të rëndësishme e sot atë e kujtojnë vetëm ata njerëz që e deshën dhe vlerësuan vërtetë për cilësitë e tij si njeri dhe profesionist. Largimi i Yllit e varfëroi futbollin dhe sot nga largësia e tre viteve, më shumë se kushdo mungesën e tij e ndien familja dhe lojtarët të cilët ai i këshillonte dhe ndihmonte për të dalë nga mankthi i dëmtimeve, ndërsa një plagë të madhe ai e la të hapur përgjthmonë, atë që me largimin e parakohshëm nga jeta, la në familjen e tij dhe njerëzit që e vlerësuan vërtet.
Nga Pirro Bardhyli