Më në fund, ai nuk është thjesht një shkëndijë, një shpërthim i momentit dhe një “meteor”, por një futbollist i vërtetë që ka vazhdimësi. Adnan Januzaj po kthehet gjithnjë e më shumë këtë sezon në një nga liderët e Sociedadit, ekipit që kryeson kampionatin spanjoll. Bashkë me Mikel Merinon janë të vetmit që kanë luajtur në të 17 ndeshjet e sezonit deri tani, 13 në La Liga dhe 4 në Ligën e Europës. Ai ka shënuar 2 gola, ka organizuar lojën dhe ka bashkëpunuar edhe në fazën mbrojtësi. Mesfushori sulmues belg, me origjinë shqiptare nga Kosova, cilësohej prej kohësh një talent i madh aq sa u mor tek Mançester Junajtidi nga Sër Aleks Fergusoni, por për disa vjet mbeti “fëmijë i talentuar” dhe jo një “burrë i vërtetë”. Për fatin e Sociedadit, tashmë procesi i pjekjes ka përfunduar me sukses.
Sfidanti.al