Siti nuk e la Liverpulin të priste, Guardiola përgjigjet me fitore 3-0!

Janari i fitoreve ende nuk ka përfunduar. Mançester Siti po ashtu nuk i ka dhënë ende fund fitoreve në këtë muaj të bekuar për të, duke shtuar edhe suksesin 3-0 në stadiumin e Hadërsfildit. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola u duk përsëri në formën e saj më të mirë, apo siç thonë anglezët. “në elementët e saj”, duke realizuar një triumf që u duk si ekzekutimi i një seance të përsosur stërvitore.

Me këtë rezultat, kampionët e Anglisë u afruan përsëri në 4 pikë diferencë me Liverpulin që kryeson Premier Ligën, ndërsa mënyra sesi ia dolën, ishte më e lehtë sesa ajo e ekipit të trajnerit Jurgen Klop.

Gjithsesi, pjesa e parë nuk ishte plotësisht bindëse, pasi lojtarët nuk e gjetën dot ritmin e zakonshëm, diçka që ndryshoi pas pushimit. Danilo realizoi rrjetën e parë pas devijimit të një lojtari vendas, Rahim Stërling shtoi të dytin, pas një aksioni ku Leroi Sane ishte në pozicion jashtë loje, dhe vetë Sane shënoi golin e tretë. E gjitha kjo në vetëm 56 minuta lojë.

Avantazhi i madh i Sitit nuk ishte vetëm klasi i lartë i lojtarëve, por edhe altruizmi i tyre, me sulmuesin kryesor, Kun Aguero, që shërbeu Sanenë për golin e tretë, duke mos u treguar aspak egoist. Guardiola këtë herë la në stol Gabriel Zhezusin, David Silvën e Bernardo Silvën, dhe kjo tregon sesa shumë potencial ka skuadra e tij.

Me këtë fitore, Mançester Siti u ngjit në kuotën e 56 pikëve, ndaj 60 të Liverpulit, me dy ekipet që janë shkëputur nga të tjerët, të vetmit pretendentë për titullin kampion.

Sfidanti.al