Ishte 11 pikë prapa, dhe mund të jetë sërish po aq, veçse për momentin është afruar. Mançester Siti, me gjasë, ka marrë një “dush të nxehtë” nga Pep Guardiola, dhe kampionët në fuqi të Anglisë treguan anën e tyre më të mirë në stadiumin e Bërnlit. Përtej frikës së trajnerit për lojën në ajër të kundërshtarëve, Siti ia doli të merrte një fitore 4-1, dhe të afrohet (përkohësisht, të paktën) në 8 pikë largësi prej Liverpulit kryesues të Premier Ligës.
Dy gola radhazi nga Gabriel Zhezus, një i tretë nga Rodri Hernandez, me serinë që u mbyll nga David Silva tre minuta para fundit. Bërnli shënoi vetëm golin e nderit në 89’ me anë të Robi Bredit. Publiku vendas u mërzit, por sidoqoftë e duartrokiti dhe e vlerësoi kundërshtarin, që ende besohet se lufton për titullin. “Kjo ishte përgjigja që prisja nga lojtarët e mi, – tha Pepi më pas, – luajtëm një futboll të madh dhe besoj se do të jemi shumë gjatë gjithë periudhës së festive. Liverpuli është ende larg, por ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”. Siti ka 32 pikë në 15 javë, ndaj 40 të Liverpulit që ka luajtur 14 ndeshje. Skuadra e Guardiolës ka shënuar 43 gola, më shumë se çdo ekip tjetër në Premier, me Leisterin që ka 33 dhe Liverpulin 32.
Sfidanti.al