Silvinjo kërkon fitoren e parë me katër futbollistë ofensivë

Një Shqipëri sulmuese për të arritur fitoren e parë në eliminatoret e Euro 2024. Silvinjo i ka idetë e qarta për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër Moldavisë, ndërsa dilema e vetme ka të bëjë me portën. Berisha është i favorizuar ndaj Strakoshës, por nuk përjashtohet një rokadë mes portierëve, ndërsa pjesa tjetër e titullarëve që do të zbresin në “Air Albania” është kristalizuar në skemën 4-2-3-1. Pasi munguan në transfertën me Poloninë, në qendër të mbrojtjes kthehet dyshja Ismajli-Gjimshiti. Hysaj si gjithmonë në krahun e djathtë, ndërsa vendin e Balliut të dëmtuar në të majtë pritet ta marrë Mario Mitaj.

Ramadani dhe Bare do të krijojnë digën në mesin e fushës, ndërsa përpara tyre do të rreshtohen katër lojtarë sulmues. Bajrami pritet titullar, ndërsa bashkë me të Asani dhe Uzuni në krahët e repartit ofensiv do të ndihmojnë Cilalleshin në majën e sulmit kuqezi.  Ky variant i përdorur shpesh në seancat stërvitore është zgjedhur nga Silvinjo për të marrë tri pikët e para në eliminatoret e Euro 2024. Ndërkohë, të gjithë futbollistët e tjerë janë në dispozicion të teknikut për sfidën kundër Moldavisë.

Formacioni (4-1-4-1): Berisha (Strakosha) – Hysaj Ismajli Gjimshiti Mitaj – Ramadani – Asani Bare Bajrami Uzuni – Cikalleshi.

Sfidanti.al