Silvinjo është i kënaqur, por Shqipëria ka qenë edhe më parë kaq lart!

Të mos harrojmë eliminatoret e Kupës së Botës 1986, kur për pak shkuam në Meksikë. Po ashtu, duhet të vlerësojmë ekipin kuqezi të Xhani De Biazit që pretendoi kualifikimin në Europian në grup me Slloveninë e të tjerë, përpara sesa të arrinte kulmin në Euro 2016 kur arriti kualifikimin në finale. Gjithashtu, me Edi Rejën ishim në rrugë të mirë derisa na mundi Polonia në Tiranë për eliminatoret e Botërorit. Kjo duhet thënë për të kujtuar se dy fitoret radhazi kuqezi ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe janë histori shumë e bukur, por jo përfundimtare, aq më shumë duke pasur parasysh emrin dhe nivelin e kundërshtarëve. Gjithsesi, trajneri Silvinjo ishte me të drejtë i lumtur.

“Po, jam i kënaqur, – thotë ai, – Djemtë po përgjigjen shumë mirë në fushë. Kanë luajtur shumë mirë. Këtë ndeshje me të vërtetë e merituam që ta fitonim. Paraqitja ishte shumë e mirë. Skuadra jonë ishte e organizuar, e fortë. Mëkat që pësuam gol në pjesën e parë, dhe na u vështirësua puna. Në pushim folëm me djemtë. Ata ishin të qetë dhe diskutuam sesi duhej ta fitonim ndeshjen. Ndodhi ajo që ndodhi, dhe jam i kënaqur më të gjithë ata”.

Sfidanti.al