Shtyhet festa e titullit, ky Juventus po humbet pak su shpesh në Itali!

“Humbëm organizimin”, ishin fjalët e Mauricio Sarrit pas disfatës në fushën e Udinezes. Ishte një formacion i ndryshëm juventin në ndeshjen e radhës në Serinë A, sidomos me mungesën e Bonuçit në qendër të mbrojtjes (zëvendësuar nga Rugani), dhe me Bernardeskin në sulm në vend të Dagllas Kostës. Po ashtu, me Aron Ramsejn në mesfushë, dhe Sandron e Danilon në krahët e mbrojtjes.

Trajneri bardhezi ishte i detyruar të bënte rotacion, dhe tani është i detyruar të presë ndoshta deri të dielën për të fituar titullin në Itali. Mbeten edhe 3 ndeshje, ndërsa mundet të ndihmohet nga Atalanta (nëse mundet nesër në fushën e Milanit), dhe nga Interi (nëse mposhtet në fushën e Xhenoas të shtunën). Sidoqë të jetë, të dielën Juvja del kampione me një fitore në “Alianc Stadium” të Torinos kundër Sampdorias.

Në Udine doli më e vështirë sesa pritej, edhe pse Matijs De Ligt kaloi kryesuesit në epërsi në 42’. Pas pushimit, friulanët luftuan më fort dhe përmbysën shifrat me autorë golash Ilija Nestorovskin (52’) dhe Seko Fofana në 92’. Udineze luftoi për vete, pasi kishte 36 pikë, dhe ishte 4 pikë larg vendit të tretë nga fundi, pra mund të thuhet se është shumë afër mbijetesës në Serinë A. Juventusi kryeson me 80 pikë, 6 më shumë se Atalanta e 7 mbi Interin, por ka humbur 5 ndeshje këtë sezon të kampionatit, diçka jo shumë karakteristike.

Sfidanti.al