Shqipëria thuajse barazon në Spanjë, por topin nuk e pa me sy për 90 minuta!

Nuk ishte një paraqitje e madhe, por humbja gjithsesi ishte më e vogla e mundshme. U desh të kalonin 36 vjet të dueleve me Spanjën, që Shqipëria të përsëriste rezultatin 1-2 që pati në 1986 në “Qemal Stafa”, si dhe të pranonte disfatën më të ngushtë në tokën iberike. Në një ndeshje edhe të habitshme, por edhe të dominuar nga spanjollët, u duk se mund ta merrnim barazimin me fat, por e pësuam pikërisht në fund, ashtu siç na ka ndodhur historikisht. Myrto Uzuni ishte lojtari i tretë që e shënoi emrin në histori duke i shënuar spanjollëve, pas yjeve të dikurshëm Shkëlqim Muça dhe Sokol Kushta.

Gjithsesi, edhe pse për rezultatin duhen thënë fjalë të mira, dhe po ashtu për disiplinën taktike të të përzgjedhurve të trajnerit Edi Reja, duhet pranuar se sundimi i ekipit të trajnerit Luis Enrike ishte i plotë. Me një “tiki taka” të qartë, “Furitë e Kuqe” mbajtën topin 82 për qind. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë rast në historinë e saj, që kombëtarja ta ketë zotëruar sferën kaq pak. Po ashtu, e vetmja gjuajtje në portë, ajo e golit të Uzunit, ishte një përplasje me fat për ne.

Spanjollët, nga ana tjetër, gjuajtën 13 herë në total dhe 7 në portë, ndërsa kuqezinjtë bënë gjithsej rreth 130 pasime, shumë herë më pak se gati 870 të kundërshtarëve. Nga fusha e stadiumit të Espanjolit në Barcelonë, dalim me ndjenja të përziera, edhe krenarë për rezistencën dhe rezultatin që për pak ishte barazim, por edhe me ndjenjën e inferioritetit në lojë që nuk po na ndahet.

Sfidanti.al