Përvoja i jep qetësinë që të rinjtë ia kanë zili, por edhe ai nuk është pa shqetësime. Kush nuk ka dyshime, nuk ka mendime, thoshte paraardhësi i Edi Rejës në stolin e kombëtares, Xhani De Biazi, dhe tekniku i sotëm është detyruar të mendohej mirë përpara se të vendoste për listën e ekipit për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë.
Gjithsesi, përpara sesa të komentonte zgjedhjet e tij për duelet e Europianit, italiani bëri të qartë se me çfarë synimi shkohet në Stamboll.
“Ne e dimë se kjo është përballja vendimtare, sepse Turqia ka 15 pikë, edhe nëse barazon, merr pikë në ndeshje të tjera dhe kualifikohet, – tha ai, – Prandaj, objektivi ynë i vetëm është të bëjmë një ndeshje të madhe, të mos bëjmë gabime, pasi edhe barazimi na dënon. Ne kemi vetëm një shans, të fitojmë ndeshjen në mënyrë që të shkojmë në Europian”.
A e di Reja se Shqipëria ndaj Turqisë fiton miqësoret dhe humbet ndeshjet zyrtare? “Ne shkojmë me besim në këtë ndeshje, pasi kohët e fundit kemi pasur rritje, – theksoi trajneri, – Mendoj se mund të konkurrojmë me të gjithë. i dimë mirë vlerat e Turqisë, sepse janë lojtarë që luajnë në kupat europiane, kanë cilësi të madhe. Edhe ne kemi cilësi, kohët e fundit kemi krijuar një grup shumë të mirë, dhe kemi besim tek puna që bëjmë. E qartë që nuk duhet t’u japim hapësira pasi janë shumë të shpejtë, por në aspektin taktik duhet të bëjmë një paraqitje të madhe”.
Trajneri u përpoq të largonte dyshimet për mungesat e Mavrajt e Sadikut, si dhe për katër portierët. “Kam folur me Mavrajn këtë javë, dhe ai më tha se duhej të bënte një operacion në krah, – sqaroi ai, – Do të operohet këto ditë, pra ai do të kthehet në ndeshjet e tjera eleminatore, në nëntor. Dua t’iu them përpara sesa të më pyesni, se edhe Sadiku mungon pasi ka probleme serioze familjare. Kam folur mbrëmë dhe sot në mëngjes me të, më kërkoi leje dhe u morëm vesh. Përsa i përket mungesës së Xhakës, unë ia njoh vlerat që ka, por duhet t’i jap mundësi edhe Selahit, dhe dua ta shikoj. Nuk më pëlqen të marr 27-28 lojtarë e pastaj t’i lë në tribunë. Përsa i përket portierëve, kam marrë 4 sepse edhe Turqia ka marrë 4. Desha të vlerësoja Selmanin që po luan titullar në Turqi”.
Shqipëria, një ekip që deri tani ka qenë i fortë në shtëpi, për fat të keq ka dy ndeshje radhazi jashtë. “Një goditje jashtë fushe duhet ta bëjmë, nuk mund të humbasim gjithnjë, – kërkoi Reja, – Unë jam mësuar gjithmonë që të kem rezultate edhe jashtë, sidomos në momentet e rëndësishme. Ndoshta jashtë fushe nuk kemi qenë aq mirë sa në shtëpi, por në Islandë, për shembull, nuk e meritonim humbjen, kundërshtari ishte me fat. Francën le ta lemë mënjanë, por në këto ndeshje mund t’ia dalim. Dua një ndeshje të fortë, fizikisht, taktikisht, por edhe teknikisht. Duhet të rritemi edhe si lojë”.
Në largim e sipër, pasi u ngacmua për Derbin e Italisë, Inter-Juventus, Reja bëri një krahasim të dy ekipeve me lojën e kombëtares shqiptare. “Sarri e bën skuadrën të luajë futboll të bukur në gjithë fushën, ndërsa Konte praktikon një lojë më agresive, më vertikale, – deklaroi italiani, – Shqipëria luan pak si Juventusi dhe pak si Interi, edhe lojë të bukur, por sidomos ka rëndësi karakteri, ka rëndësi forca fizike dhe mendja. Kur të dalim në fushë duhet të kemi personalitet”.
Shqipëria luan në 11 tetor në Stamboll ndaj Turqisë, dhe në 14 të po këtij muaji në Çisinau kundër Moldavisë.
Sfidanti.al