Shorti i Championsit, apo sa viktima të mëdha do ketë në shkurt?!

Për disa nga gjigandët, ishte një short i tmerrshëm. Mjafton të japim tre çifte për ta kuptuar të gjithë, Liverpul-Bajern, Atletiko Madrid-Juventus dhe Mançester Junajtid-Paris SG. Le t’i shtojmë edhe një duel spektakli, Totenhem Hotspur-Borusia Dortmund. Kaq mjafton për ta quajtur turin e dytë të Championsit, një “fuçi baruti”! Gjithsesi, askush nuk mund të ndihet i qetë.

Mos vallë, Reali duhet të “flejë mbi dafina” sepse do të luajë me Ajaksin? Madrilenët besohet se po studiojnë mirë se çfarë ndeshjesh të mëdha bënë holandezët me Bajernin, duke barazuar dy herë. Po ashtu, Barcelona që vjet shkoi si “kovë pusi” me Romën, as mund ta mendojë të lehtë duelin me Lionin. Kush nuk e pa se skuadra franceze dominoi Mançester Sitin në grup, duke i marrë 4 pikë nga 6 të mundshme?

Roma gjithashtu, po luan kaq dobët dhe u turpërua jo pak në grup me Realin, ndaj edhe as nuk mund ta nënvleftësojë Porton, një eksperte e Championsit. Mançester Siti ndoshta mund të ketë më të thjeshtë pasi Shalke, jo vetëm që po kalon një sezon negativ, por edhe është një skuadër e pandreqshme, që kombinon futbollin sulmues, me paaftësinë për të fituar.

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, komentoi shortin. “E dimë mirë atmosferën në stadiumin e Mynihut, – tha ai, – do të jetë udhëtim i mrekullueshëm për tifozët tanë. E njohim mirë Bajernin, por kjo nuk na jep ndonjë avantazh të madh. Do të jenë djemtë që do të vendosin gjithçka”.

“Duhet të jemi të lumtur për spektaklin, – tha trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, – Liverpuli ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm, finalist vjet në Champions, kryesues i Premier Ligës dhe favorit për Championsin këtë vit. Gjithsesi, ne jemi Bajerni”.

Edvin Van der Sar komenton se “shorti është i madh, Ajaksi kundër Realit, kjo më sjell në mendje kujtimet e ndeshjes së nëntorit 1994, kur fituam 2-0 në Madrid”.

Tomas Tuhel, trajneri i Paris SG, nuk ka dyshime, por thotë se “ne kemi cilësi për të fituar në “Old Traford”, gjithsesi do të jetë një sfidë e madhe”.

Në 12 shkurt e 6 mars

Mançester Junajtid-Paris SG, Roma-Porto

Në 13 shkurt e 5 mars

Totenhem-Dortmund, Ajaks-Real Madrid

Në 19 shkurt e 13 mars

Lion-Barcelona, Liverpul-Bajern Mynih

Në 20 shkurt e 12 mars

Shalke-Mançester Siti, Atletiko Madrid-Juventus

Sfidanti.al