Shaqiri, xhaketa e UÇK-së, dhe mediat që flasin për “organizata terroriste”!

Ylli i Zvicrës e ka të qartë qendrimin e tij, origjinën padyshim shqiptare nga Kosova, por jetën dhe sportin të krijuar në shkollën zvicerane dhe në shtetin e Zvicrës. E kaluara nuk na shqitet kurrë, thotë një fjalë e urtë, dhe e kaluara iu përplas për shpatullash Shaqirit kur një shqiptar hyri në konferencën për shtyp pas ndeshjes së Zvicrës në eleminatoret e Botërorit, duke i vendosur në supe një xhaketë me stemën e UÇK-së. Ylli zviceran e vështroi personin që i veshi xhaketën, qeshi pak dhe pastaj e hoqi me kujdes duke e vendosur diku pranë kamerës që po e intervistonte. As nuk e mbajti veshur, por as nuk e hodhi përtokë, dhe kjo solli qindra mesazhe në rrjetet sociale, ku shqiptarë e vlerësonin që nuk e flaku tej, dhe shumë prej serbëve që “e shkuli nga trupi xhaketën terroriste”. Edhe “La Gazeta delo Sport” në Milano nuk harroi të theksonte se UÇK-ja u shpall organizatë terroriste nga OKB-ja në 2008, ndoshta duke harruar se Garribaldi e Maxini në shekullin e 19-të u shpallën gjithashtu terroristë, po ashtu siç u shpallën të tillë kryengritësit serbë në Kryengritjen e Parë apo të Dytë kundër Perandorisë Otomane, ndërsa rastin më të freskët e kemi me Nelson Mandelën, që CIA e shpalli terrorist dhe ai bëri vite të tëra burg në Afrikën e Jugut, por pastaj u fshi nga çdo e keqe, u bë simbol dhe legjendë dhe vdiq si president e si hero.

Sfidanti.al