Me një lule nuk vjen pranvera, këtë e ka të qartë shumë mirë Jurgen Klopi. Trajneri gjerman përjetoi një nga mbrëmjet e mëdha të karrierës me fitoren ndoshta edhe të papritur 1-0 ndaj Mançester Sitit në “Anfild”, edhe pse në fund u përjashtua me karton të kuq. Liverpuli e tregoi veten si dikur dhe konfirmoi se kur vjen puna për një ndeshje të vetme, mund të thyejë çdo kundërshtar. Kështu ka bërë me Sitin në Superkupën e Anglisë këtë verë, apo sezonin e kaluar në dy gjysmëfinalet e kupave.
Erling Halandi, të paktën për një herë, doli “thatë”. Gjigandi norvegjez nuk mundi të shënonte, madje u mbulua shumë mirë nga Xho Gomez. Ishte mbrojtësi i Anglisë që mori përsipër këtë detyrë dhe jo Virgil Van Dajku. Gomezi u shpall lojtari i ndeshjes për paraqitjen e bërë. Gjithsesi, Siti pati epërsi në disa drejtime, duke mbajtur topin 64 për qind, duke pasur 16 gjuajtje ndaj 13 dhe 6 në kuadrat përkundër 2 të të kuqve. Mo Salah shënoi golin e vetëm të ndeshjes, në mënyrë të shkëlqyer në 76’, por gjithsesi Liverpuli mbetet prapa në renditjen e Premier Ligës. Të kuqtë kanë vetëm 13 pikë ndaj 23 të Sitit dhe 27 të Arsenalit që kryeson pas fitores 1-0 në Lids. Vendi i katërt (Çelsi), pra zona Champions, është 6 pikë larg!
Sfidanti.al