Arien Robeni, sulmuesi i njohur holandez që luan me Bajernin e Mynihut, njoftoi se ai kishte vendosur që të largohej nga përfaqësuesja e Holandës mbas 14 vitesh që kishte luajtur me të. Ndeshja kualifikuese e fundit mes Holandës dhe Suedisë (2-0) ishte e fundit për Robenin me bluzën e “tulipanëve”, kështu që, në fund të saj, ai njoftoi largimin e tij.
“Kjo ndeshje ishte speciale për mua, jo se ishte ndeshja e lamtumirës e imja, por, sepse ne luftuam për diçka të madhe, i dhamë asaj një shije të veçantë”, tha ky futbollist 33-vjeçar i Bajernit të Mynihut që shënoi dy gola kundër Suedisë, duke vazhduar më tej se “kisha menduar shpesh që ta lija futbollin, por, megjithatë, vazhdoja të luaja. Tani, jam 33 vjeç dhe është koha që unë të largohem. Unë luaj me një ekip të madh në Evropë, kështu që duhet të bëjë një zgjedhje dhe unë vendosa që të përqëndrohem te klubi, ku luaj tani. Tani është tamam koha që unë t’ua lejë vendin të rinjve. Si një ‘njeri prej qelqi’ që jam, durova gjatë”, tha Robeni me humor, duke aluduar për nofkën që i është vënë atij nga media, për shkak të dëmtimeve të shpeshtë që ka pësuar gjatë karrierës. Arien Robeni ka debutuar me Holandën, më 2003, ka luajtur me të në 96 ndeshje dhe ka shënuar 37 gola.
Sfidanti.al