Reali i hyn titullit “me kokë”, por Barcelona nuk është larg

Një sezon i habitshëm ky në La Ligën e Spanjës, ku gara për kurorën duket se është rihapur. Mjaftuan dy hapa të gabuar të Atletikos që Reali të bënte një afrim të ndjeshëm, duke qenë tani vetëm tri pikë larg kreut të renditjes. Goli i Kasemiros i dha triumfin në fushën e Vajadolidit, në një ndeshje ku vendasit meritonin më shumë, porse Reali tregoi se kur janë ndeshje për t’u fituar është në gjendje që ta bëjë. “Me kokë drejt titullit”, – shkruan “AS”, duke iu referuar golit me kokë të mesfushorit brazilian. Edhe pse me mungesa, madrilenët e Zidanit u treguan të fortë e të përqëndruar, ndërsa u ndihmuan shumë edhe nga pritjet e portierit Kurtua dhe niveli i lartë i organizimit të lojës nga Modriç.

Atletiko ka 55 pikë në 23 ndeshje, ndërsa Reali ka 52 pikë në 24 ndeshje. Ende epërsia është e djemve të Simeones, por kur vjen puna te garat për titull, Madridi është tepër i fortë. Gjithsesi, në llogari duhet futur edhe faktori “Barcelonë”, pavarësisht turpërimit në Champions ndaj Paris SG. Katalanasit gjithashtu janë mjeshtra për të luftuar për titull dhe janë vetëm 6 pikë prapa Realit, duke pasur dy ndeshje në dorë për të luajtur. Po ashtu, është ekipi që ka shënuar më shumë gola, 49 ndaj 45 të Atletikos e 42 të Madridit.

Sfidanti.al