Ka vite që madrilenët tregonen “zemërgjerë” në kampionat, dhe të pamëshirshëm në Champions. Me 4 Liga të Kampionëve dhe vetëm 2 tituj në La Liga, në 12 vjet, Reali po jep përshtypjen se e ka humbur “nuhatjen” në atë që ishte “prona” e tij, duke ia bërë gjithnjë e më të lehtë Barcelonës. Kështu ndodhi edhe këtë javë, kur u shpërdorua fitorja 2-0 në “El Klasiko”, për t’i “dhuruar” Barçës një tjetër kryesim me humbjen 1-2 në fushën e Betisit. Katalanasit kanë 58 pikë (golat 63-31) ndaj 56 të Madridit (49-19), ndërsa duhen edhe 11 ndeshje deri në mbyllje të sezonit. Kohë ka, padyshim, por ndoshta Mesi me shokë nuk kanë ndërmend të bëjnë dhurata si rivalët.
“E qartë që përgjegjësi jam unë, – pohoi Zinedin Zidani, – por, nuk jam në gjendje të jap një shpjegim për këtë që ndodhi”. Ashtu siç e theksuan me forcë mediat kryeqytetase, ndeshja në stadiumin e Betisit ishte një nga më të dobëtat e Realit, jo vetëm këtë sezon, por edhe për aq sa mbahet mend. Sidomos, pjesa e parë, dhe madrilenët e merituan humbjen, edhe pse i patën shanset të paktën për të barazuar. Betisi ishte më mirë në çdo aspekt, madje edhe fizikisht, ndërsa Zidani u përpoq të mbante ekuilibër mes kampionatit dhe Championsit, duke lënë në stol Valverden deri pranë fundit. U ndje shumë mungesa e Karvahalit, dhe Militao nuk bindi, ndonëse pati ndihmën e Lukas Vaskezit. Me Bejlin në stol të pashfrytëzuar, ashtu si Hames Rodrigezin, u duks e Zizuja nuk kishte shumë alternativa, ndërsa Mendi hyri në lojë i detyruar pas dëmtimit të Marselos. Betisi u udhëhoq nga Fekir, ish-ylli i Lionit, ndërsa në fushë ishin dy ish-lojtarë të Barcelonës, Bartra në mbrojtje dhe Tejo në sulm, madje ishte ky i fundit që vendosi ndeshjen.
Sfidanti.al