Real Madrid rrezikon të humbasë sfidën në tavolinë ndaj Osasunës

Debutimi i Franco Mastantuonos me Real Madridin ka shkaktuar polemika të mëdha në Spanjë, jo vetëm për arsye sportive. Los Blancos rrezikojnë të humbin në tavolinë ndeshjen e fituar ndaj Osasunës, pas një denoncimi të paraqitur nga Miguel Galán, president i CENAFE (qendra e trajnerëve në Spanjë). Sipas tij, aktivizimi i sulmuesit argjentinas ka përbërë një shkelje të rëndë të rregullores. Problemi lidhet me mënyrën se si është regjistruar futbollisti. Edhe pse Real Madrid pagoi 60 milionë euro për ta marrë nga River Plate, Mastantuono është regjistruar jo si lojtar i ekipit të parë, por si pjesë e Castilla-s (skuadra B që luan në kategorinë e tretë). Kjo manovër, sipas Galán, është përdorur për të shmangur kufizimin e 25 vendeve të regjistrimit për ekipin e parë.

Sipas nenit 125 të rregullores së Federatës Spanjolle (RFEF), regjistrimi i një lojtari te filialet nuk mund të përdoret për të anashkaluar frymën e rregullit. Në këtë mënyrë, Real Madrid akuzohet se ka vepruar me keqbesim. Situata mund të ketë pasoja të rënda: Osasuna ka 24 orë afat nga përfundimi i ndeshjes për të paraqitur ankesë. Nëse shkelja vërtetohet, Real Madrid jo vetëm që rrezikon të humbasë në tavolinë, por edhe të njollosë imazhin e tij për shkak të një truku burokratik që shkel barazinë mes klubeve.

sfidanti.al