Real Madrid nuk i ndahet Barcelonës për skandalin ‘Negreira’

Real Madridi i ka kërkuar gjykatës zgjatjen e hetimit për rastin Negreira edhe për gjashtë muaj të tjerë. Në vitin 2023, Barcelona dhe drejtuesit e saj u akuzuan për ryshfet në lidhje me pagesat ndaj ish-nënkryetarit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira, i cili atëherë ishte pjesë e Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF). Gjykata i ka konsideruar pagesat e Barcelonës, rreth 7.7 milionë euro midis viteve 2001 dhe 2018, si vepër penale. Sipas gazetës Marca, stafi ligjor i Real Madridit ka kërkuar që hetimet të zgjaten nga 1 shtatori 2025 deri në mars 2026, me qëllim sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave në lidhje me pagesat ndaj kompanisë së lidhur me Enriquez Negreiran. Nga ana tjetër, Barcelona ka mohuar çdo shkelje, duke theksuar se pagesat ishin për shërbime konsulence teknike dhe analiza të gjyqtarëve, pa ndikim në vendimet e arbitrazhit. Klubi ka deklaruar se nuk ekzistojnë prova që lidhin këto pagesa me manipulim të ndeshjeve apo favorizim sportiv. Rasti Negreira ka shkaktuar jehonë të madhe në opinionin publik dhe sportiv në Spanjë, duke hedhur dyshime mbi integritetin e garave gjatë dekadës së fundit. Kërkesa e Real Madridit për zgjatjen e hetimeve tregon se procesi mund të zgjasë më tej, në përpjekje për të zbardhur plotësisht këtë skandal.

sfidanti.al