Pas pak javësh, në Madrid do të zbarkojë zyrtarisht Kylian Mbappé për të hapur zyrtarisht epokën, “Galacticos 2”. Në kulmin e erës së parë sezoni 2002-2003, trajneri Vicente Del Bosque ishte i detyruar të punonte shumë për të bërë që të funksiononte një skuadër me yje si Figo, Zidane, Ronaldo, Raul, McManaman, Morientes, Solari e Guti. Fitoi La Ligan dhe u rrëzua në gjysmëfinalen e Champions League kundër Juventusit. Tani, Carlo Ancelotti është pothuajse në të njëjtat pozita, ndërsa në shumë detaje si inteligjenca, karakteri, karizma, eksperienca dhe qetësia ai ngjan shumë me spanjollin dhe tani duhet të jetë në gjendje të mbajë me këmbë në tokë dhomën e zhveshjes të rrethuar nga shumë yje si Mbappé, Vinicius, Rodrygo, Bellingham, Endrick, Arda Guler dhe Brahim. Një skuadër e mbushur me talent ku 12 nga 25 elementët e organikës do të jenë poshtë kufirit të 26 viteve. Koha do të tregojë të vërtetën në bazë të rezultateve dhe trofeve por ky projekt i Florentino Perez duket se ka baza më të forta se “Galacticos 1”.