Një, dy, tre! Njëlloj si në kohët më të bukura të karrierës. Kristiano Ronaldo vërtet nuk mund të jetë çdo ditë kështu, por kampioni i madh mbetet i tillë derisa “vdes”, dhe portugezi realizoi një tjetër mrekulli në karrierën e tij të shkëlqyer. Shënoi tre gola dhe kualifikoi thuajse i vetëm Juventusin për në çerekfinalet e Championsit, përballë një rivali të frikshëm si Atletiko e Madridit, por që u “bë copë” në stadiumin e Torinos.
Ishte një mbrëmje e madhe europiane për kampionët e Italisë, një nga të shumtat për një klub të mësuar me trofe dhe me finale, si dhe një natë e paharrueshme për Kristianon që tregoi se nuk ka ndërmend të perëndojë lehtë. Dueli i tij me Mesin vazhdon, po ashtu sfida ndaj yjeve të rinj si Kilian Mbape, Eden Hazar, apo atij pak më më madh, Nejmarit.
Që përpara ndeshjes u tha se Juventusi kishte nevojë për Ronaldon e zakonshëm të Championsit, dhe numri 7 nuk i zhgënjeu shokët e ekipit dhe mbi 40 000 tifozët në “Alianc Arena”. Humbja 0-2 në Madrid u zhduk si me magji, dhe me meritë të plotë. Italianët patën edhe shumë raste të tjera, ndërsa Simeone provoi sesa e vështirë është të ngresh një skuadër praktikisht mesatare në lavdi, në nivelin e Realit, Barcelonës apo Juventusit.
Atletiko ka gjithsej 3 finale Championsi, Ronaldo ka 5 Champions të fituar, ndërsa Juvja ka vetëm 2 trofe të tillë, por edhe 7 finale të tjera të humbura, nga 1973-shi në 2017. “Zonja e Vjetër” ka 10 trofe europianë dhe botërorë, si dhe 56 tituj në Itali. Tani pritet shorti çerekfinale, por me një Ronaldo të tillë gjithçka mund të arrihet.
Sfidanti.al