Punë “djalli”: Dy futbollistë qeshnin në stol, kur Junajtidi humbiste!

Mançester Junajtidi humbi edhe një herë tjetër në “Molina” të Uollverhemptonit, pavarësisht se kësaj here meritonte një rezultat më të mirë sesa në ndeshjen e Kupës së Anglisë. Ekipi i Ole Solskjerit humbi 2-1, kur shumë lehtë mund të kishte kaluar në avantazh 2-0, kur rezultati ishte 0-0. Sidoqoftë, Solskjeri i lavdëroi lojtarët e vet mbas ndeshjes, pavarësisht nga epilogu dhe një hap mbrapa në përpjekjet për vendin e 4-t në Premier Ligë që të çon në Ligën e ardhshme të Kampioneve.
Solskjeri me të vërtetë mund të ankohet, sepse futbollistët e tij nuk patën fat gjatë ndeshjes, por, megjithatë ai ka arsye që të nxehet me gjestin e dy lojtarëve të tij në min. e 94–t të ndeshjes. Kamera “kapi” momentin, kur Markos Roho e portieri rezervë Romero përshpërisnin njeri me tjetrin dhe qeshnin mbas kurrizit të Solskierit në min. e 94-t, kur Junajtidi po bënte përpjekje të mundimshme që ta barazonte rezultatin, ndërsa ai ishte 2-1 në favor të “ujqërve”.
Kjo skenë i nxehu shumë tifozët e Junajtidit që po i krtikojnë ashpër të dy lojtarët e lartpërmendur për qëndrimin e tyre mendjelehtë dhe skenën e pakëndshme që krijuan.
Sfidanti.al