Prag Siti-Liverpul, kush do ta fitojë sfidën që vlen titullin në Premier Ligë?!

Në këtë qytet kanë arritur me ide të qarta. Futbollistët e Liverpulit dhe trajneri i tyre, Jurgen Klop, padyshim që janë nën presion të madh sepse sot në orën 17:30 do të luajnë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë në fushën e Mançester Sitit. Dy ekipet i ndan vetëm 1 pikë, me Sitin që kryeson dhe që është kampion në fuqi, por me të kuqtë që kanë bërë një rikuperim të jashtëzakonshëm këta muaj. Liverpuli ka dyshime për aktivizimin e Roberto Firminos, që nuk u stërvit përpara ndeshjes. Gjithsesi, Aleksandër-Arnold është kthyer ashtu si Nabi Keita, ndërsa Fabinjo e ka marrë veten pas dëmtimit në mesjavë. Ekipi Klopit pati një parantezë të shkëlqyer në Champions me fitoren 3-1 në fushën e Benfikës, ndërsa trajneri gjerman pyetet se çfarë ndeshjeje pret.

“Padyshim një ndeshje shumë të mirë, – tha ai, – nuk ndodh shpesh që të ndeshen dy ekipet më të mira. Historia ka treguar se këto sfida kanë qenë shumë të bukura, sepse të dyja skuadrat janë sulmuese, duan fitoren dhe krijojnë raste për gol. Një ndeshje shumë e rëndësishme ku pritet çdo rezultat. Ne duam fitoren, ashtu si edhe Siti që ka Guardiolën, trajnerin më të mirë në botë”.

Siti nuk do ta ketë qendërmbrojtësin Ruben Dias, një minus i rëndëisshëm, por Kajl Uolker është i shlodhur pas pezullimit në Champions. Guardiola mund të aktivizojë titullar Fil Fodenin, që ishte vendimtar ndaj Atletikos. Ashtu si Liverpuli, edhe Siti triumfoi në Champions, 1-0 ndaj Atletikos. A mendon Guardiola se fituesi i kësaj ndeshjeje do të fitojë titullin?

“Me shumë mundësi jo, – ishte përgjigja, – do të jenë tri pikë shumë të rëndësishme, por do të mbeten ende 7 ndeshje për t’u luajtur. Dy ekipet do të kenë ngarkesë në Champions, në Kupën e Anglisë. E kam thënë edhe më parë se Liverpuli është rivali më i madh që unë kam pasur në karrierën time si trajner”.

Siti ka 73 pikë ndaj 72 të Liverpulit, ndërsa ndeshja e fazës së parë në “Anfild” përfundoi 2-2.

Sfidanti.al