Për tifozët ka rëndësi vetëm një gjë. Gjermania është rikthyer në Euro 2020 dhe pas humbjes pa fat dhe pa forcë ndaj Francës, erdhi suksesi i madh ndaj Portugalisë. Kombëtarja katër herë kampione e botës ka për detyrë sot në orën 21:00 të konfirmojë veten në “Alianc Arena” të Mynihut ndaj Hungarisë dhe të sigurojë kualifikimin. Lojtarët ndihen të qetë dhe optimistë, ndonëse Tomas Myler nuk luan, ndërsa jo në 100 për qind janë Humels, Gyndogan e Klosterman. Trajneri Joakim Lëv premton se ekipi do të bëjë gjithçka, ndonëse paralajmëron se Hungaria do të jetë kockë e fortë. “Duhet të japim maksimumin që t’ia dalim, – tha ai, – ndryshe nuk ka sukses”.
Hungaria, gjithsesi, sot nuk është ajo që ka qenë dikur, ndërsa nuk harrohet finalja e madhe e Kupës së Botës 1954 në Zvicër, që Gjermania e fitoi 3-2 me përmbysje, ndërsa “hungarezët fluturues” të Pushkashit, Ciborit e Hidekutit kishin fituar 8-3 në grup. Përballja është kthyer edhe në politike pas vendimit të UEFA-s për të mos lejuar ngjyrat e homoseksualëve në “Alianc Arena”. Kryebashkiaku i Mynihut, Diter Raiter, e quajti këtë vendim një turp dhe sfidoi duke lajmëruar se do të ndizeshin këto drita rreth e rrotull stadiumit, si dhe do të ngrihej flamuri LGBT në Bashki.
Sfidanti.al