Paris 2024, parandalohen dy sulme terroriste

Ministria e Brendshme e Francës ka deklaruar se janë parandaluar edhe dy sulme terroriste, në ditët e fundit në Paris. Siguria është një front nën tension për Lojërat Olimpike, kur frikës së sulmeve terroriste i shtohen edhe ngjarjet që mund të ndodhin të dielën pas zgjedhjeve. Kanë mbetur edhe tre javë deri në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024” dhe rreziku i sulmeve terroriste mbetet shumë i lartë në Francë. Dy sulme të tilla janë bllokuar ditët e fundit dhe i shtohen atyre tre të tjerëve të zbuluar gjatë muajit maj nga forcat e sigurisë, me arrestimin e personave përgjegjës.

Me pak fjalë, siguria është një front nën tension jo vetëm për Parisin por për të gjithë Francën,  veçanërisht në një periudhë në të cilën rezultati i zgjedhjeve legjislative të së dielës mund të gjenerojë gjithashtu tensione të mëtejshme nëpër rrugë. Ndaj mëngjesin e së premtes, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin theksoi veçanërisht rrezikun që lidhet me sulmet e mundshme terroriste gjatë Lojërave. Olimpiada “Paris 2024” është një përgjegjësi e madhe për të gjithë Francën. Në muajin maj, presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi edhe njëherë për kujdesin e madh në masat e sigurisë, kur njoftoi se në ceremoninë hapëse të kësaj ngjarje të madhe sportive, pritet të marrin pjesë rreth 100 liderë botërorë. Ceremoni kjo që do të zhvillohet për rreth 4 orë në brigjet e lumit Sen. E në rast të kërcënimit të ndonjë sulmi terrorist, kjo ceremoni do të zhvendoset në Stade de France.

sfidanti.al