Në lojrat olimpike Paris 2024 që startojnë në datën 26 korrik, Shqipëria do të prezantohet me 8 sportistë, 45 prej të cilëve do të udhëtojnë drejt Francës si të ftuar dhe jo sepse e kanë merituar. Luiza Gega dhe tre mundësit me origjinë nga Dagestani janë të vetmit që kualifikimin e kanë arritur me forcat e tyre dhe ky është një tregues i qartë se sa shterpë është sporti shqiptar përtej futbollit që gjithsesi mbetet më mediatik dhe i ndjekur. Disiplinat olimpike në vendin tonë janë pothuajse të harruara ndërsa skandalet e dopingut dhe problemet e peshëngritjes në menaxhimin që i bëhet këtij sporti, e kanë ulur shtangën në nivelin më të ulët. Nëse dikur Shqipëria i kishte sytë e veshët pikërisht nga ky sport për atë medalje të parë që nuk ka ardhur ende në një olimpiadë, sot duhet të shpresojmë te ata djem të talentuar që Sahit Prizreni me shumë mundim i ka natyralizuar dhe kjo nuk është aspak e gabuar. Përveç normave, ekipi shqiptar ka përfituar edhe katër ftesa për “Paris 2024”. Kështu me ftesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të konkurrojë Franko Burraj në atletikë, Greisi Koxhaku dhe Kaltra Meça në not si dhe Manjola Konini në qitje sportive. A do t’ia dalim këtë herë të fitojmë atë medalje të shumëdëshiruar? Me shumë mundësi po sepse kampionia e pistave Luiza Gega dhe Abakarov, Dudaev e Valiev i kanë të gjitha mundësitë por mungesa e peshëngritjes në një olimpiadë për Shqipërinë është një humbje e madhe dhe për këtë askush nuk flet.
Nga Pirro Bardhyli