Lionel Scaloni vazhdon të fitojë në pankinën e kombëtares së Argjentinës. 46-vjeçari siguroi për herë të dytë radhazi Kupën e Amerikës, pa harruar Botërorin e Katarit. Trajneri i skuadrës albiceleste u shfaq i lumtur pas triumfit 1-0 përballë Kolumbisë, që erdhi falë golit të interistit Lautaro Martinez në minutat shtesë. Dhe tani do të jetë Spanja përballë në Finalissima 2025, e programuar për verën e ardhshme. Finale ku sfidohen kampionët e Europës dhe me ata të Amerikës. Trofe që Argjentina e fitoi për herë të parë në 2022, teksa mposhti pastër 3-0 Italinë që sapo kishte triumfuar në Europianin e zhvilluar në Angli.
“Jam dyfish i lumtur për fitoret e Argjentinës dhe Spanjës. Një pjesë e familjes sime është spanjolle, vend me të cilin kam një lidhje të veçantë. Unë jetoj në Spanjë dhe trajnerin De la Fuente e njoh mirë. Finalja përballë tyre do të jetë pak problem, pasi gjysma e familjes do të bëjë tifo për Spanjën. Gjithsesi do të jetë shumë bukur të sfidojmë kampionët e Europës. Do të shijojmë një ndeshje argëtuese mes dy skuadrave që po kalojnë një moment të mrekullueshëm. Mbi të gjitha duke prodhuar një futboll të bukur, një futboll ndryshe nga të tjerët”, shprehet timonieri i kampionëve në fuqi të botës.
sfidanti.al