Nëse nuk ka përfunduar ende, duhet shumë pak që aventura e Graham Poter në pankinën e Çelsit të mbyllet përpara kohe. Humbja në ndeshjen e Champions kundër Borusias së Dortmundit mund të rezultojë goditja fatale për trajnerin amerikan. Ai mori drejtimin e Bluve të Londrës, duke zëvendësuar Tomas Tukel të shkarkuar pikërisht pas humbjes kundër Dinamos së Zagrebit në ndeshjen e parë të grupeve në Ligën e Kampioneve. i njëjti fat mund të ndjekë edhe atë, pasi sipas mediave angleze, pronarëve të klubit iu është sosur durimi. Pasi kanë shpenzuar më shumë se 650 milion euro në dy sesionet e fundit të mërkatos, blerjet marramendëse nuk po japin rezultat. Çelsi renditet në vendin e 10-të në Premier League, ndërsa rrezikon seriozisht eliminimin nga Champions.
Këto fakte, por edhe zërat mediatikë duket se nuk shqetësojnë Poter, i cili beson se skuadra e tij do të kthehet te suksesi. “Ka një energji negative, që po na pengon të gjithë. Mendoj se meritonim më shumë kundër Borusias, por nuk arritëm të shfrytëzojmë rastet për shënim. Por nuk jam i shqetësuar. Kam bindjen se shumë shpejt skuadra do të kthehet te fitorja”. Pavarësisht optimizmit, Poter nuk ka shumë kohë, ndërsa fati i tij në pankinën e Çelsit vendoset në ndeshjen e së shtunës kundër Sauthemton.
Sfidanti.al