Kush e mendonte se “Zoti i Plotfuqishëm i Bundesligës” nuk do të ishte në krye të kampionatit pas 5 ndeshjeve. Kështu ka ndodhur me Bajernin pas barazimit që u cilësua “karambolesk” dhe “i çoroditur” në fushën e Unionit të Berlinit. Tashmë, Frajburgu dhe Dortmundi janë mbi bavarezët e trajnerit Julian Nagelsman që dobësinë më të madhe e patën pikërisht aty ku duhej të ishte pika e tyre më e fortë, në sulm. Natyrisht, kampionët patën epërsi në zotërim topi dhe sulme e gjuajtje, por kaq duket pak. Mane, Musiala, Koman ishin dobët dhe as Tomas Myler e Gnabri nuk e ndryshuan dot situatën. Më i miri ishte De Ligt në mbrojtje, Zabicer e Kimih në mesfushë, që shënoi edhe golin. Sheralod Beker është një sulmues po aq i mirë sa Sadio Mane, të paktën për momentin, sepse ka 5 gola në ligë. Bajerni ka 11 pikë, një më pak sesa Frajburgu e Dortmundi, dhe në të njëjtin nivel si Unioni i Berlinit, ndonëse ka një golaverazh shumë më të mirë, plus 14 (17-3), ndaj +5, +4 e +8 të rivalëve.
Sfidanti.al