“E njoh mirë Ismajlin prej shumë vitesh: ai është bërë një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A dhe është një djalë i jashtëzakonshëm. Mendoj se ai është gati të bëjë hapin drejt një klubi të madh. Nuk më habit aspak që Juventusi po e ndjek. Do të ishte një përforcim shumë i dobishëm për bardhezinjtë. Ardiani e meriton një shans si ky”, thotë për mediat italiane Christian Panucci, trajneri i parë që besoi tek mbrojtësi shqiptar.
Zëri i Christian Panuccit është plot krenari. Trajneri i parë në një nivel të lartë që besoi dhe fokusoi te mbrojtësi aktual i Empolit, Ardian Ismajli, duke debutuar si gjysmë i panjohur dhe duke e nisur si titullar në kombëtaren shqiptare në vitin 2018.
Sot mbrojtësi i lindur në vitin 1996 është ndër qendërmbrojtësit më të mirë në Serinë A për shkak të vazhdimësisë së tij. Aq sa tërhoqi vëmendjen edhe të Juventusit, të cilët e vendosën në sy të tyre për merkaton e janarit. Monitorim i vazhdueshëm nga skautët e Juventusit që e ndoqën drejtpërdrejt gjatë Lazio-Empoli javën e kaluar dhe mbrëmë gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Republikës Çeke dhe Shqipërisë.
Mund të na tregoni si e zbuluat Ismajlin?
“Po flas për herë të parë dhe jam shumë i lumtur që e bëj këtë. Në vitin 2018 isha trajner i kombëtares shqiptare dhe shkova nëpër Evropë në kërkim të lojtarëve të rinj për të thirrur. Unë bëja skautizëm të dorës së parë dhe e pashë në Kroaci, ku Ardiani luante për Hajdukun e Splitit. Më goditi menjëherë. Kështu që unë mora hapa për të biseduar me të dhe për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë, duke qenë se Ismajli ishte tashmë në kombëtaren e Kosovës”.
Mund të thuash që shkoi mirë…
“Ai e pranoi kombëtaren shqiptare për mua dhe për atë që kisha bërë për ta bindur. Ai ishte njeri i fjalës: Kosova nuk donte ta humbiste, por Ardiani e mbajti premtimin që më dha. Askush nuk e njihte brenda federatës shqiptare: herën e parë që e thirra, as që e dinin se kush ishte. Po të mos kishte qenë Panucci, Ismajli nuk do të vinte kurrë të luante për Shqipërinë…”.
A është Ismajli gati për të bërë kapërcimin në një skuadër të madhe?
“Për mua po. Ai është bërë një mbrojtës shumë i besueshëm dhe ka bërë një rritje të pabesueshme vitet e fundit, duke u vendosur si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në kampionatin tonë. Edhe në një nivel temperamenti ai është shumë solid: si në aspektin e aftësive ashtu edhe në seriozitetin, ai do të ishte perfekt për stilin e Juventusit”.
sfidanti.al