Norris: Ishte stresuese të garoje me Verstappen nga pas

Pas më shumë se një mijë ditësh, Max Verstappen nuk është më lideri i kampionatit të Formula 1. Ai e udhëhoqi këtë Botëror që nga gara e Spanjës në vitin 2022 deri në fund të sezonit të kaluar, kur dhe u shpall kampion bote për të katërtën herë radhazi. Tashmë kryesues i Botërorit është britaniku i McLaren, Lando Norris, që fitoi garën e parë sezonale në Australi.

Ai pati një duel të fortë me Verstappen në xhirot e fundit, por epërsia e McLaren e ndihmoi britanikun që të fitojë garën hapëse të sezonit.

“Ishte një garë e vështirë, ku bëmë disa gabime, por ato ishin të pranueshme pikërisht për vështirësinë e kushteve atmosferike. Shihni gabimet e të tjerëve, 6 pilotë nuk e mbyllën dot garën. Të tjerët nga jashtë nuk e kuptojnë dot këtë gjë”, tha Norris.

“Kur keni pak diferencë mund të relaksoheni, mund të futeni në një ritëm të mirë. Por, tre xhirot e fundit, me Max pas meje, ishin stresuese”, u shpreh Norris.

Më tej, britaniku tha: “Duhet rrezikuar, por ky është niveli në të cilin duhet të arrish për të provuar të fitosh një garë kundër pilotëve si Oscar Piastri dhe Max Verstappen. Ishte e vështirë, stresuese, por morëm vendimet e duhura në kohën e duhur. Kjo është ajo që më bëri të fitoja garën sot. Kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës”.

sfidanti.al