Nojer flet për herë të parë për kthimin në fushën e lojës

Më herët vizitoi ekipin kombëtar në Dyseldorf. Pastaj shkoi në “Zebener Shtrase”, tek Bajerni, ku takoi shokun e tij të vjetër, Arjen Roben. Po flasim për Manuel Nojerin, portierin më të madh të ditëve të sotme, i cili për fat të keq prej muajsh nuk mund të luajë për shkak dëmtimi.

Kur do të kthehet gjigandi dhe a e rrezikon ai Botërorin? Nojeri foli për herë të parë për planet e tij. “Nëse çdo gjë do të shkojë mirë, do të kthehem në stërvitje javën që vjen, – u shpreh ai, – do të kem mundësi të vrapoj. Gjithsesi, e rëndësishme është që të tregohem i kujdesshëm pasi me këmbën nuk duhet të ndodhë më asgjë, ndryshe rrezikoj karrierën”.

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, është shprehur se 31-vjeçari do të mundë të luajë për Bajernin përpara sesa të bashkohet me kombëtaren për në Kupën e Botës në Rusi. “Është një parashikim realist, – tha Nojeri, – por, ende nuk është përcaktuar koha e saktë e kthimit”.

Sfidanti.al