Fitore e merituar dhe parakalim (qoftë) edhe i përkohshëm ndaj Mançester Sitit, edhe pse pati polemika. Liverpuli shënoi vetëm një gol në suksesin minimal në fushën e Njukasëllit në Premier Ligë, një rrjetë që erdhi pas një aksioni ku vendasit pretenduan se u shkaktua faull ndaj Fabian Sharit. Gjyqtari lejoi gjithçka që të vazhdonte dhe Nabi Keita e dërgoi topin në rrjetë. Mesfushori afrikan ishte ndër më të mirët në fushë duke fituar çdo dyluftim e duke realizuar saktë çdo driblim, ndërsa Mane, Luiz Dias, Diogo Zhota apo edhe Salah patën raste të shumta. Trajneri Jurgen Klop la në stol shumë yje, mes të cilëve Konate, Trent Aleksandër-Arnold, Fabinjo, Tiago apo Salah. Liverpuli mbajti topin 66 për qind, por sidomos pati epërsi në përpjekjet për të shënuar, me 19 gjuajtje drejt portës dhe 10 prej tyre në kuadrat. Njukasëllit iu lejuan vetëm 3 gjuajtje! Kornet ishin 6-0 për miqtë. Liverpuli ka 82 pikë, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes në “Sent Xhejmsis Park”, Siti ishte me 80 pikë, por me një ndeshje më pak, atë të orës 18:30 në fushën e Lidsit.
Sfidanti.al