Pak kohë më parë, një trajner kampion tregonte këtë histori. “Kishim një ndeshje të vështirë në filan qytet, – thoshtë ai, – ndërsa ne përgatiteshim, presidenti erdhi dhe më tha se do të shkonte të takonte presidentin e ekipit tjetër për t’ia kërkuar ndeshjen si nder”. Ishte sfidë që ndihmonte për titullin, dhe trajneri rrëfeu se takimi u bë, por dy presidentët nuk u morën vesh.
“Më vjen keq, – i tha i dyti, të parit, – por, i kam premtuar rivalit tënd se do ta ndihmoj. Nëse ma merr ndeshjen vetë, atëherë në rregull”. Presidenti që donte titullin u kthye tek ekipi dhe i premtoi një shpërblim të madh që të fitonte në fushë, një ndeshje që ai nuk e fitoi dot në tavolinë. Pak rëndësi ka sesi përfundoi ai takim i Superligës, por morali është që tjetër gjë shihet në sipërfaqe në futbollin shqiptar, dhe tjetër gjë ndodh me të vërtetë .
Atëherë, do të donim të bënim një propozim transparence. Ashtu si makinave që u vendoset një GPS për të ditur gjithmonë se ku ndodhet, e njëjta gjë duhet të bëhet edhe me presidentët, në mënyrë që të mësohet se ku shkojnë, çfarë bëjnë, dhe me kë takohen. Padyshim, që do të kishim histori të tjera për gazetat apo televizionet tanë.
Bledar Kuka