Turbina tashmë ka një fushë të re për stadiumin modest, madje në Grupin e Jugut të Kategorisë së Parë, është në garë edhe me Dinamon, për t’i shtyrë 15 herë kampionët e vendit në ligën më inferior të mundëshme. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka pse të mos të bëjë entuziast, pavarësisht se ambjent aq jeshil nuk e ka Lushnja kryesuese (+22 pikë përpara Tërbunit), apo Berati, një nga qyetet më të rëndësishme të vendit. Ndërkohë që ndeshja e së shtunës në Cërrik ka filluar 20 minuta me vonesë dhe shkak është, sepse i gjithë qyteti ka vetëm një autoambulancë, që atë ditë ishte nisur për të çuar një pacient të qytetit me urgjencë ne Elbasan. Delegati i ndeshjes, Artim Kovaçi, e pengoi fillimin e ndeshjes, deri sa erdhi ambulanca e vetme e një komune aty afër, ku të gjithë banorët ishin shëndoshë e mirë.
Dhe pavarësisht nervozizmit të vendasve, apo të gjithëve që dëshironin zhvillimin e takimit në kohë reale, ajo ambulancë që nuk ndodhej në Cërrik është shumë e nevojshme pas portës. Në ndeshjen tjetër, Sopoti – Bylis, luajtur në Fushë-Krujë, portjeri Bejte i “vendasve” theu dorën dhe u shoqërua menjëherë në spitalin e qyetit. Ndërsa në takimin Besëlidhja – Burreli, incidenti ka qenë edhe më i rëndë. Mbrojtësi lezhjan, Senad Lekaj, pas një përplasje me një futbollist kundërshtar, pati problem në klavikul, gjë që i solli kolaps në frymëmarrje. Edhë në këtë rast u desh ambulanca (pamjet në foto), për ta dërguar futbollistin në spitalin e qyetit. Pra, ndonjëherë një tapet i ri nuk bën shumë punë, përpara një autoambulance që ka pothuajse të njëjtën kosto.