Nga Kremona në Euro 2020, si u krijua legjenda e Xhanluka Vialit!

Ekipi i qytetit të tij të lindjes e mbajti një minutë heshtje. Skuadra e Kremonezes, ashtu si gjithë Kremona, ishte në zi për humbjen e Xhanluka Vialit, atij që ishte djalë i shtëpisë. Lindur në 9 korrik 1964, personaliteti tashmë i ndjerë i futbollit italian, nisi një karrierë në të cilën do të fitonte thuajse gjithçka, ndonëse fati i jetës nuk e ndoqi deri në fund. Në Itali, Angli, në Europë dhe në gjithë botën ka pikëllim për vdekjen e ish-sulmuesit të shquar. Xhanluka Viali cilësohet si njëri nga njerëzit më të dashur të futbollit italian për tifozët, dhe “La Gazeta delo Sport” i jep lamtumirën me titullin: Miku gjenial!

Pas Kremonezes, të cilën e ndihmoi të ngjitej nga Seria C në Serinë A, në 1984 kur ishte 20 vjeç kaloi tek Sampdoria. Pikërisht dorianët do të cilësoheshin ekipi i jetës, edhe pse provoi edhe fanela të tjera. Nën udhëheqjen e dyshes Viali-Mançini, dhe me trajnerin Boshkov në stol, skuadra nga provinca e Ligurias fitoi titullin kampion në 1991, të parin e të fundit në historinë e saj. Në 1992, pasi e cilësoi të përfunduar karrierën me Sampdorian, sumuesi u bashkua me ekipin më të shquar të Italisë, Juventusin. Në katër vjet fitoi titullin kampion, Serinë A, Kupën UEFA, por sidomos atë që e pati iluzion në Gjenovë, Championsin, si kapiten i Juves në 1996 ndaj Ajaksit në “Olimpiko” të Romës.

Karrierën e mbylli me Çelsin ku luajti për 3 sezone deri në 1999, dhe ku u bë edhe trajner. Në gati 20 vjet si futbollist profesionist, Viali fitoi 15 trofe dhe shënoi gati 300 gola, ndërsa veshi edhe fanelën e Italisë për shumë vjet, shënoi gjithashtu gola, ndonëse nuk e mori dot ndonjë titull. Këtë, siç duket e kishte rezervuar në motet e fundit të jetës, kur si ndihmës i Roberto Mançinit, trajnerit federal, Të Kaltrit u shpallën kampionë të Europës në 2021 në “Uembli” të Londrës. Pasi legjenda u shua në Londër pak ditë më parë në moshën 58-vjeçare, tifozët e Sampdorias lanë banderolat dhe shallet e tyre përpara spitalit të kryeqytetit britanik.

Skuadra e Çelsit mbajti një minutë zi në stërvitje, ndërsa tifozët e Bluve të Londrës po ashtu vendosën shalle e lule në kujtim për ish-yllit të tyre. Heshtje në nderim të tij mbajti edhe Zhoze Murinjo, ndërsa trajneri i shquar portugez u mbajti një leksion lojtarëve të Romës se kush kishte qenë Xhanluka Viali.

Sfidanti.al