Nga Ilir Daja tek … Ilir Daja, një “fantazmë” sillet mbi stolin e Partizanit!

Ishte janari i vitit 2013 dhe një ndryshim kishte ndodhur tek Partizani. Biznesmeni Gazmend Demi kishte blerë aksionet dhe menjëherë afroi trajnerin Shpëtim Duro, për ta ngjitur ekipin nga Kategoria e Parë në Superligë. Ato ditë, dikush i kishte propozuar një tjetër emër për stolin, Ilir Dajën. Demi nuk u bind pasi trajneri kampion i Shqipërisë me Dinamon dhe Elbasanin kishte disa kohë i tërhequr nga futbolli i Superligës, duke u marrë me akademinë e tij, por duket se fati i afroi palët këtë verë.

Daja mbylli një aventurë të vështirë me Flamurtarin në Vlorë, ndërsa kryeqytetasit u ndanë nga trajneri Skënder Gega, menjëherë pasi siguruan titullin kampion, pas plot 26 viteve. Burime në klubin e kuq bëjnë të ditur se Demi kishte mendimin që të merrte pikërisht Ilir Dajën, teknikun që shkëlqeu sidomos me Skënderbeun duke fituar titullin kampion e duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Gjithsesi, drejtori sportiv Olsi Rama e bindi se ishte më mirë të merrej një i huaj për stolin, dhe zgjodhi përfundimisht Franko Lerdën. Kjo histori fare e afërt vlen të kujtohet tani, menjëherë sapo trajneri italian pati një konflikt serioz me ndihmësit e tij Dritan Mehmeti dhe Korrado Sakone, ndërsa duket se edhe marrëdhëniet me lojtarët i ka të acaruara.

Presidenti Demi ka qenë në Sarandë në fundjavë, larg zhurmave, dhe i mërzitur seriozisht pas humbjes ndaj Sherifit në Ligën e Europës, sidomos për lojën e dobët të zhvilluar nga ekipi.

Njerëz të afërt të tij tregojnë se Demi është dëshpëruar nga lëvizjet e shumta në formacion dhe mungesa e dëshirës së lojtarëve, veçse numri 1 i klubit është i vendosur që të mbështesë trajnerin, që u mor vetëm pak javë më parë.

Tek Partizani kanë ende shpresë se gjendja do të normalizohet. Klubi është shumë pranë Valdet Ramës, ish-lojtarit të Kukësit sezonin e kaluar, i cili kërkon 8 000 euro në muaj, por kjo shifër nuk duket se është problem për Partizanin.

Sfidanti.al